Banka më e madhe e Rusisë, Sber, po përgatitet të zgjerojë shërbimet e saj të kredidhënies së mbështetur me kripto, duke shtuar stablecoin-in USDT të Tether dhe Ether si forma kolaterali, krahas Bitcoin-it që tashmë pranohet.


Sipas zëvendëskryetarit të bankës, Anatoli Popov, Sber do të përshtatë produktet ekzistuese dhe do të zgjerojë gradualisht ofertën e saj ndërsa hyn në fuqi ligji i ri rus për kriptomonedhat. Banka planifikon t'i shtojë këto asete si kolateral vetëm pasi Banka Qendrore e Rusisë t'i lejojë zyrtarisht për tregtim publik.

Lajmi vjen ndërsa Rusia po ndërton një treg të rregulluar për kriptomonedhat, bazuar në një ligj të nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin më 4 gusht. Dispozitat kryesore të këtij ligji hyjnë në fuqi më 1 shtator.

Rregullat e reja për exchange-et

Ligji i jep Bankës Qendrore të Rusisë autoritetin për të vendosur cilat asete kripto mund të tregtohen në exchange-et e rregulluara. Më 11 gusht, banka qendrore propozoi që Bitcoin, Ether dhe USDT të përfshihen në listën e aseteve të lejuara, duke argumentuar se ato plotësojnë kriteret e kërkuara, përfshirë kapitalizimin e tregut, volumin e tregtimit dhe të paktën pesë vjet histori çmimesh në tregjet ndërkombëtare.

Skepticizëm ndaj rublës digjitale

Po në të njëjtën kohë, Sber ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar ndaj rublës digjitale, monedhës digjitale të bankës qendrore ruse (CBDC), e cila pritet të nisë zbatimin e saj më të gjerë më 1 shtator. Drejtori financiar i Sber, Taras Skvortsov, ka thënë se banka nuk vëren shenja të një kërkese të gjerë për këtë instrument.

"Nuk shoh ndonjë interes të qartë për këtë instrument, përveç atij të bankës qendrore," ka deklaruar Skvortsov, duke shtuar se as klientët retail, as ata korporativë, dhe as institucionet financiare nuk po kërkojnë në mënyrë aktive përdorimin e CBDC-së.

#rregulloret#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje