Kryetari i Commodity Futures Trading Commission (CFTC), Mike Selig, ka njoftuar se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të punojë për të avancuar legjislacionin mbi kriptomonedhat, pavarësisht se projektligji i njohur si Clarity Act u bllokua në Kongres.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në X, Selig tha se agjencia do ta ndihmojë presidentin Donald Trump "ta çojë punën në fund", duke përdorur autoritetin që i njihet me ligj.
Vota që bllokoi projektligjin
Ligjvënësit e bllokuan të martën Clarity Act në një votim procedural, pasi projektligji i pritur prej kohësh nuk arriti të mbledhë 60 votat e nevojshme për të vazhduar rrugëtimin legjislativ. Qëllimi i këtij projektligji është të ndajë qartë përgjegjësitë mbikëqyrëse mes rregullatorëve, duke përcaktuar cilat asete digjitale konsiderohen letra me vlerë, cilat mallra dhe cilat stablecoin.
"Amerikanët meritojnë qartësi rregullatore, siguri juridike dhe mbrojtje për konsumatorët në tregjet e aseteve kripto," shkroi Selig. Ai shtoi se presidenti Trump kishte premtuar një strukturë rregullatore afatgjatë për tregun e kriptomonedhave dhe se CFTC është gati të vërë në zbatim rregulla të reja për këtë sektor financiar.
Trump, muajin e kaluar, i kishte bërë thirrje Kongresit të miratonte Clarity Act, duke e cilësuar projektligjin "shumë të fuqishëm". Republikanët akuzuan demokratët se e kishin penguar qëllimisht miratimin e tij.
SEC lëviz paralelisht
Me emërimet e bëra nga administrata Trump, rregullatorët amerikanë konsiderohen tashmë më të hapur ndaj industrisë së kriptomonedhave dhe pritet të vazhdojnë të nxisin rregulla favorizuese për sektorin. Securities and Exchange Commission (SEC) ka propozuar tashmë kornizën e vet për ofertat e aseteve kripto, duke ecur përpara pavarësisht ngërçit në Kongres.
Edhe pse ishte miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve vitin e kaluar, Clarity Act mbeti pothuajse e bllokuar gjatë gjithë këtij viti, pasi lobi bankar u përplas me ligjvënësit dhe bizneset e kriptomonedhave lidhur me faktin nëse platforma si Coinbase duhet të lejohen t'u paguajnë klientëve fitime nga yield. Disa ligjvënës kërkuan gjithashtu ndryshime në formulimet për etikën, dhe një draft i ri filloi të qarkullonte në korrik, i cili ndalon zyrtarët qeveritarë të promovojnë ose të përfitojnë financiarisht nga kriptomonedhat.
Megjithatë, pjesë e demokratëve thanë se ndryshimet ende nuk ishin të mjaftueshme, ndërsa disa republikanë pro-kripto akuzuan demokratët se po e vononin projektligjin qëllimisht për arsye politike.
