Protokolli për shkëmbime ndërmjet zinxhirëve të ndryshëm, Chainflip, ka konfirmuar se një sulmues ka vjedhur rreth 12 milionë dollarë në Bitcoin, Ether dhe stablecoin nga rezervat e tij të shtunën. Shifra është dukshëm më e lartë se humbja prej 4.86 milionë dollarësh e raportuar fillimisht.
Sipas një deklarate të kompanisë, Chainflip Labs bëri me dije se nga vault-et janë zhdukur 122.86 Bitcoin (BTC), 520.22 Ether (ETH), 3.25 milionë USDC dhe 758,141 USDT. Menjëherë pas incidentit, çmimi i token-it FLIP u rrëzua me 42.9% brenda 24 orëve, sipas të dhënave të CoinGecko.
Oferta për sulmuesin
Chainflip i është drejtuar publikisht sulmuesit, duke i ofruar një shpërblim prej 10% të shumës së vjedhur nëse kthen 90% e mbetur të fondeve para orës 18:38 UTC më 23 nëntor. Kompania premtoi se, në rast kthimi brenda afatit, do ta trajtonte veprimin si një rikuperim të tipit "white-hat" dhe do të tërhiqte çdo ankesë të paraqitur më parë tek autoritetet ligjzbatuese.
Sipas hetimit të brendshëm, përgatitjet për sulmin kishin filluar që më 11 nëntor, kur fonde u financuan përmes Tornado Cash, ndërsa një llogari validuesi u regjistrua vetëm një ditë para incidentit, të premten.
Gjurmë dixhitale ndaj sulmuesit
Chainflip deklaroi se ka identifikuar mekanizmin që bëri të mundur ekspozimin e çelësave kriptografikë dhe ka marrë masa për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen. Kompania pohoi gjithashtu se zotëron informacion identifikues mbi sulmuesin, i cili mund t'u vijë në ndihmë autoriteteve ligjzbatuese.
"Zotërojmë informacion identifikues mbi validuesin dhe serverët e përdorur, adresat tuaja janë shënuar si të dyshimta në çdo kompani të madhe analitike, dhe çdo tërheqje nga Tornado Cash po monitorohet," tha kompania në deklaratën drejtuar sulmuesit.
