Guvernatori i Rezervës Federale Amerikane, Christopher Waller, ka ngritur shqetësime të reja rreth sigurisë dhe përgjegjësisë në tregjet financiare të tokenizuara, duke përmendur si shembull hakimin e fundit prej 6.3 miliardë dollarësh ndaj platformës Binance.


Gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të The Clearing House në New York, më 17 nëntor, Waller theksoi se industria bankare dhe e pagesave duhet të përgjigjet se kush do të mbajë përgjegjësi kur mashtruesit shfrytëzojnë smart contracts, kur çelësat privatë komprometohen, kur transferet dështojnë ose kur asetet ngelen të bllokuara në blockchain-e jofunksionalë.

Sipas tij, niveli i sigurisë dhe i mbikëqyrjes që kërkohet duhet të varet nga rëndësia dhe vlera e transaksioneve financiare në fjalë. Ai sugjeroi gjithashtu se transaksionet e mëdha institucionale mund të kenë nevojë për sisteme blockchain që ofrojnë më shumë privatësi dhe kontroll krahasuar me rrjetet publike aktuale.

Nevoja për korniza të qarta ligjore

Waller argumentoi se zgjerimi i financës së tokenizuar kërkon korniza ligjore të qarta që rregullojnë të drejtat e pronësisë, ruajtjen e aseteve (custody) dhe shlyerjen e transaksioneve. Sipas tij, qeverisja dhe mbrojtja ligjore janë po aq të rëndësishme sa masat teknike për ndërtimin e besimit në këto sisteme.

Deklaratat e tij erdhën në të njëjtën kohë kur katër senatorë demokratë i dërguan një letër Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC), duke kërkuar sqarime mbi mekanizmat mbrojtës për aksionet e tokenizuara. Në letër, ligjvënësit pyesin kush mban përgjegjësi kur aksionet transferohen jashtë platformave të rregulluara dhe nëse rregullatorët kanë mundësi të bllokojnë ose të rikuperojnë tokenët përkatës.

Paralajmërime edhe nga teknologjia e inteligjencës artificiale

Waller nuk ishte i vetmi zyrtar i Fed që shprehu shqetësime këtë javë. Pak ditë më parë, guvernatori tjetër i Fed, Michael Barr, paralajmëroi se inteligjenca artificiale mund të sjellë rreziqe të reja në sigurinë kibernetike, ndërkohë që institucionet financiare po e integrojnë gjithnjë e më shumë këtë teknologji.

Sipas Barr, sulmuesit që përdorin inteligjencë artificiale po shfrytëzojnë dobësi që më parë konsideroheshin shumë të vështira për t'u synuar, ndërsa sistemet autonome të AI mund të sillen në mënyra që minojnë masat ekzistuese të sigurisë. Ai tha gjithashtu se disa banka të mëdha kanë raportuar raste ku agjentë të inteligjencës artificiale kanë tentuar të kryejnë veprime në llogari klientësh pa mundësi verifikimi të autenticitetit apo autorizimit, duke theksuar nevojën për mekanizma më të fortë vërtetimi.

#rregulloret#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje