Grayscale ka njoftuar një ndarje të aksioneve për fondin e tij të tregtuar në bursë që mban tokenin ZEC, të njohur me simbolin ZCSH. Sipas një dokumenti të depozituar pranë rregullatorit amerikan të letrave me vlerë, ndarja do të jetë e llojit 3-për-1, çka do të thotë se çdo mbajtës aksioni do të marrë dy aksione shtesë për secilin që zotëron aktualisht.


Një ndarje e këtij lloji nuk e ndryshon vlerën totale të investimit, por thjesht e ndan çdo aksion në pjesë më të vogla. Vetë Grayscale jep një shembull të thjeshtë: 10 aksione me vlerë 300 dollarë secili, gjithsej 3,000 dollarë, kthehen në 30 aksione me vlerë 100 dollarë secili, sërish 3,000 dollarë në total.

Aksionarët që do të figurojnë si mbajtës në fund të seancës tregtare më 28 shtator do të përfitojnë nga ndarja, ndërsa aksionet e reja do të shpërndahen pas mbylljes së tregut më 29 shtator. Tregtimi me çmimet e reja, të përshtatura pas ndarjes, do të fillojë më 30 shtator, gjithmonë nën të njëjtin simbol tregtimi dhe kod identifikues.

Pse po bëhet ndarja

Arsyeja pas këtij vendimi është rritja e jashtëzakonshme e çmimit të ZEC-ut, i cili është shtuar me mbi 2,800% gjatë vitit të fundit. Kjo e ka çuar çmimin e një aksioni të vetëm në nivele aq të larta sa e bën të vështirë blerjen për investitorët e vegjël, pasi, ndryshe nga tregu i kriptomonedhave ku mund të blihen fraksione tokenësh, në bursat tradicionale nuk mund të blihen fraksione aksionesh.

Sipas dokumentit të depozituar, pas ndarjes vlera neto e aktiveve për aksion pritet të jetë rreth një e treta e vlerës që kishte para ndarjes, ndërsa numri i aksioneve në qarkullim do të rritet proporcionalisht.

Interesi për fondin ka qenë i lartë që nga lançimi i tij më 25 gusht, me flukse hyrëse që kalojnë 233 milionë dollarë, përfshirë një ditë me 112 milionë dollarë hyrje më 8 shtator. Aktivet neto të fondit arritën rreth 890 milionë dollarë deri më 17 shtator.

Një ETF unik për një token privatësie

Ez Ky produkt është ETF-i i parë në botë që mban drejtpërdrejt tokenin ZEC të Zcash-it. Ai u krijua përmes shndërrimit të drejtpërdrejtë të Trust-it më të vjetër të Zcash-it të Grayscale, i cili mbante rreth 313 milionë dollarë në ZEC përpara se të fillonte tregtimi në bursën NYSE Arca.

Zcash u lejon përdoruesve të zgjedhin nëse transaksionet e tyre janë publike apo të fshehura, duke përdorur një teknikë kriptografike që vërteton vlefshmërinë e një pagese pa zbuluar dërguesin, marrësin apo shumën e transferuar. Ashtu si Bitcoin-i, edhe furnizimi i ZEC-ut është i kufizuar në 21 milion njësi.

Rritja e ZEC-ut këtë vit lidhet edhe me shqetësimet në rritje mbi mundësinë e gjurmimit të parasë digjitale, ndërsa vendosja e një monedhe privatësie brenda një produkti financiar të rregulluar e bën atë të aksesueshëm edhe për investitorë që nuk kanë asnjëherë wallet kripto. Zcash konsiderohet gjithashtu më i pranueshëm nga rregullatorët sesa alternativa të tjera si Monero, i cili është ndaluar nga disa exchange të mëdha pas presionit të autoriteteve ligjzbatuese.

Grayscale ka ndarë aksione edhe më parë për të njëjtën arsye. Në dhjetor 2020, kompania kreu një ndarje 9-për-1 të Trust-it të saj të Ethereum-it, pasi rritja e ETH-së kishte bërë aksionet të paarritshme për investitorët më të vegjël. Tashmë, rritja e ZEC-ut po e sjell të njëjtin skenar edhe për fondin ZCSH.

#altcoins#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje