Kompania Anthropic ka njoftuar se modeli i saj i inteligjencës artificiale, Claude, ka krijuar provën matematikore më të gjatë të njohur deri më sot. Ajo u përdor për të formalizuar Teoremën e Fundit të Fermatit, një problem që matematikanët nuk arritën ta zgjidhnin plotësisht për 358 vjet.
Sipas kompanisë, procesi zgjati vetëm 11 ditë dhe u krye kryesisht në mënyrë autonome nga sistemi. Rezultati ishte rreth 13 milionë rreshta kod, të cilët mund të kontrollohen automatikisht rresht pas rreshti nga një kompjuter, në vend që t'i besohet thjesht fjala e një matematikani.
Teorema, e shkruajtur nga Pierre de Fermat në vitin 1637, thotë se nuk mund të merren tre numra të plotë pozitivë, të ngrihen në një fuqi më të lartë se dy, ashtu që shuma e dy të parëve të jetë e barabartë me të tretin. Fermati kishte shënuar në kufirin e një libri se kishte gjetur një provë "vërtet të mrekullueshme", por se hapësira ishte tepër e vogël për ta shkruar.
Nga hamendja te vërtetimi formal
Një provë matematikore përbëhet nga një zinxhir hapash logjikë, dhe nëse thyhet vetëm një hallkë, gjithë ndërtimi bie. Gjetja e asaj gabimi të vetëm, të fshehur ndoshta në qindra faqe argumentesh, mund t'u marrë matematikanëve vite të tëra pune.
Formalizimi i një prove nënkupton përkthimin e saj në një gjuhë aq të saktë sa një kompjuter mund të verifikojë çdo hap pa asnjë hapësirë për interpretim subjektiv. Historikisht, kjo fushë ka pasur probleme serioze verifikimi: një çmim gjerman i vitit 1908, me vlerë disa milionë dollarë sipas kursit të sotëm, u ofrua për provën e parë të vlefshme të kësaj teoreme, por vetëm në vitin e parë u dorëzuan 621 zgjidhje të gabuara.
Zgjidhja e vërtetë erdhi më 1995 nga matematikani britanik Andrew Wiles, pas një historie plot përpjekje. Wiles e paraqiti fillimisht provën e tij në vitin 1993, por një recensent zbuloi më vonë një boshllëk në argumentim. Bashkë me ish-studentin e tij, Richard Taylor, ai punoi pothuajse një vit për ta korrigjuar, duke botuar në maj të vitit 1995 një provë prej 129 faqesh, e cila mbështetej te metoda matematikore që nuk ekzistonin në kohën e Fermatit.
Kjo është arsyeja kryesore pse shumica e matematikanëve dyshojnë se "prova e mrekullueshme" që Fermati pretendoi ta kishte gjetur në shekullin e 17-të, në fakt nuk ka funksionuar kurrë.
