Industria e lojërave video po kalon nëpër një debat të ri për të ardhmen e disqeve fizike, pas vendimit të Sony për t'i ndërprerë ato brenda vitit 2028. Një ish-punonjës i njohur i studios Infinity Ward thotë se kjo përpjekje nuk është aspak e re, por ka nisur që nga viti 2007.
Robert Bowling, që ka punuar si strateg kreativ për serinë Call of Duty nga viti 2006 deri në 2012, rrëfen se biseda të para për heqjen e disqeve kanë ndodhur gjatë prodhimit të një prej titujve më të njohur të franshizës. Sipas tij, një drejtues i lartë i botuesit kishte propozuar kalimin total në format digjital, në mënyrë që kompania të shmangte tregun e rishitjes dhe tarifat që konsolat u ngarkonin botuesve për çdo disk të shitur.
Bowling shpjegon se botuesit kishin tentuar gjithashtu të bindnin zinxhirë shitjesh si GameStop për të ndarë të ardhurat nga shitja e lojërave të përdorura. Pasi ajo betejë u humb, strategjia u zhvendos drejt eliminimit të plotë të disqeve, në mënyrë që tregu i dorës së dytë të zhdukej vetvetiu.
Një përçarje mes industrisë dhe konsumatorëve
Vendimi i fundit i Sony për të ndaluar prodhimin e disqeve ka ngjallur reagime të forta. Mbi 387 mijë persona kanë nënshkruar një peticion online kundër këtij vendimi, ndërsa themeluesi i PlayStation, Ken Kutaragi, e ka mbrojtur lëvizjen duke e quajtur shqetësimin e lojtarëve thjesht një 'çështje mentaliteti'.
Sipas Bowling, i cili më vonë ka punuar në tituj të tjerë të mëdhenj si zhvillues dhe konsulent kreativ, ndryshimi kryesor nga viti 2007 e këtej është shprehia e konsumatorëve, që sot blejnë më shumë kopje digjitale sesa fizike. Ai thekson se gjatë gjithë karrierës së tij dyzetvjeçare në industri, vetëm botuesit kanë shtyrë për heqjen e disqeve, kurrë zhvilluesit.
Bowling, i cili më pas ka themeluar edhe një studio që punonte në një lojë shooter me elementë blockchain përpara se projekti të mbyllej për mungesë financimi, thotë se Sony vetë e trajton blerjen digjitale si një licencë të revokueshme, jo si pronësi reale mbi lojën. Sipas tij, kjo tregon qartë ndarjen mes atyre që e shohin lojën si thjesht produkt softueri dhe atyre që e konsiderojnë art dhe stil jete.
