Autoritetet gjyqësore në Kinë kanë nisur procedurat për të konfiskuar rreth 62,000 Bitcoin, me një vlerë aktuale prej afërsisht 5 miliardë dollarësh, pjesë e një prej hetimeve më të mëdha për mashtrim financiar në historinë e vendit.


Sipas prokurorisë, Qian Zhimin, e cila kontrollonte kompaninë Tianjin Lantian Gerui Electronic Technology, organizoi nga viti 2014 deri në 2017 shitjen e produkteve të rreme investuese në të gjithë vendin, pa asnjë licencë nga autoritetet financiare. Investitorëve u premtoheshin kthime të garantuara, ndërsa skema arriti të mbledhë rreth 40.3 miliardë RMB, afërsisht 2.8 miliardë dollarë.

Fondet e mbledhura u përdorën kryesisht sipas një logjike tip Ponzi, duke paguar investitorët e parë me paratë e atyre të rinj, ndërsa pjesa tjetër u kanalizua drejt blerjes së Bitcoin, pronave, automjeteve luksoze dhe bizhuterive. Shumë pak nga kapitali shkoi drejt aktiviteteve të ligjshme biznesi.

Arratisja dhe sekuestrimi në Britani

Kur skema filloi të zbulohej në korrik 2017, Qian u largua drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke marrë me vete kompjuterë ku ruheshin wallet-et me Bitcoin. Autoritetet britanike më vonë sekuestruan asetet kripto dhe pasuri të tjera, duke përfshirë rreth 61,900 BTC, para në dorë, bizhuteri dhe kriptomonedha të tjera.

Çështja mori një kthesë të rëndësishme kohët e fundit, kur Gjykata e Lartë britanike vendosi se legjislacioni kinez, e jo ai britanik, duhet të zbatohet për të përcaktuar pronësinë mbi Bitcoin-in e sekuestruar. Vendimi ka rëndësi të madhe, pasi vlera e monedhave është rritur jashtëzakonisht që nga viti 2017, dhe ligji i zbatueshëm do të përcaktojë nëse viktimat e mashtrimit përfitojnë nga ky rritje vlere.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Mbretërinë e Bashkuar thotë se viktimat mund të rimarrin humbjet përmes mekanizmit kinez të kompensimit, ndërsa përfaqësues të firmës ligjore Fieldfisher, që mbrojnë disa nga viktimat, po shqyrtojnë mundësinë e ankimimit.

Procesi në Kinë

Gjykata e Dytë e Mesme Popullore e Tianjin-it njoftoi se më 28 shtator pranoi kërkesën e prokurorisë për konfiskimin e aseteve të paligjshme të Qian. Viktimat mund të regjistrohen për të marrë pjesë në procesin e rikuperimit të aseteve përmes një platforme në WeChat, ndërsa një periudhë njoftimi prej gjashtë muajsh do të paraprijë gjykimin formal.

Kina mbetet një nga vendet me rregullore më të rrepta ndaj kriptomonedhave në botë, pasi që nga viti 2021 ka ndaluar plotësisht tregtimin e aseteve dixhitale dhe aktivitetin e mining-ut të Bitcoin.

#bitcoin#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje