Një kompani e re po përgatitet të bëhet ndër të parat që do të mundësojë tregtimin onchain të aksioneve amerikane të tokenizuara. Formation Securities njoftoi të hënën se ka dërguar kërkesë zyrtare pranë Securities and Exchange Commission (SEC) për të operuar nën të ashtuquajturën "Innovation Exemption", një përjashtim i kushtëzuar i lëshuar nga rregullatori amerikan në shtator.
Ky përjashtim lejon që aksionet e kualifikuara të tokenizuara të tregtohen përmes pools të automatizuara me qasje të kontrolluar, në platforma që plotësojnë kushtet e caktuara nga SEC. Tregtimi pritet të fillojë në fillim të vitit 2027, ndërsa mes aksioneve të para të planifikuara për listim përmenden ato të Exodus Movement, Forward Industries dhe Galaxy Digital.
Ideja qendrore e projektit është që të përcjellë përfitimet e tregtimit mbi blockchain, si funksionimi 24 orë në ditë dhe shlyerja pothuajse e menjëhershme, pa hequr të drejtat që investitorët presin normalisht nga një aksion tradicional. Sipas kushteve të përjashtimit, tokenet e kualifikuara duhet të ruajnë të njëjtat të drejta vote dhe dividendi si aksionet klasike, ndërsa çdo transaksion shlyhet në mënyrë atomike onchain, një veçori që synon uljen e riskut gjatë shlyerjes.
Regjistri zyrtar i aksionarëve do të vazhdojë të menaxhohet nga agjenti i transferimit të kompanisë, ndërsa çdo transaksion do të regjistrohet në kohë reale në regjistrin publik të blockchain-it. Christopher Montagano, president i Formation Securities, tha se tokenizimi i aksioneve do të ketë sukses vetëm nëse kompanitë publike shohin vlerë reale në të, duke shtuar se synojnë ta ndërtojnë këtë treg së bashku me emetuesit.
Partnerë dhe infrastrukturë
Formation Securities licencon teknologjinë e vet të tregtimit nga platforma Orca, e bazuar në Solana. Aksionet e tokenizuara pritet të sigurohen nga kompanitë Securitize dhe Superstate, ndërsa CEO i Securitize, Carlos Domingo, theksoi se çdo token mbështetet nga një aksion real i mbajtur nga broker-dealer-i i kompanisë së tyre.
Qasja në platformë do të kufizohet vetëm për investitorë të verifikuar, të cilët do të mund të hyjnë përmes platformës së Formation dhe distributorëve të tjerë si Alpaca dhe Passage i CoinList, si dhe përmes custodian-ëve Anchorage, BitGo dhe Fireblocks. Për ruajtjen e aseteve do të përdoren edhe wallet-et Solflare dhe Squads.
Garë në rritje
Ky hap vjen në një kohë kur gara për tokenizimin e aksioneve po bëhet gjithnjë e më e ngjeshur. NYSE ka zgjedhur rrjetin Avalanche, konkurrent i Solana-s, për të shlyer platformën e vet të ardhshme të titujve të tokenizuar, ndërsa Securitize ka nisur tashmë aksione të tokenizuara mbi Solana. Paralelisht, po përgatitet edhe një platformë e përbashkët mes OKX dhe ICE.
Iniciativa e Formation bazohet te Project Open, një propozim i dorëzuar në SEC gjatë vitit 2025 nga një koalicion që përfshin Orca, Superstate dhe Solana Policy Institute. Kompania tha se zgjodhi Solana-n për shkak të shpejtësisë, kostove të ulëta dhe përvojës së dëshmuar me asete të tokenizuara, duke shënuar se rrjeti strehon aktualisht mbi 5 miliardë dollarë vlerë në asete reale të tokenizuara.
