Kevin Warsh, i cili drejton për herë të parë Fed-in në takimin vjetor të Jackson Hole, tërhoqi vëmendjen jo vetëm për qëndrimin e tij ndaj normave të interesit, por edhe për vlerësimin e tij mbi inteligjencën artificiale. Në një pjesë të fjalimit të titulluar "Përgatitja për konjuktura të ardhshme të politikës", ai foli gjerësisht për ndikimin ekonomik të AI-së.
Warsh kujtoi se pas krizës financiare të vitit 2008, ekonomistët flisnin shpesh për "stanjacion sekular" — një gjendje ku kapitali ishte i tepërt, ndërsa mundësitë e mira për investim ishin të pakta, sepse, siç thoshte teoria, "gjithçka e mirë tashmë ishte shpikur". Sipas tij, kjo tezë tashmë nuk qëndron më.
Ai mbështeti pohimin me shifra konkrete. Shpenzimet kapitale të bizneseve, të cilat i quajti "fara e rritjes ekonomike të së ardhmes", po rriten me ritmin më të shpejtë prej vitit 2021, rreth 9% në katër tremujorët e fundit, ku më shumë se gjysma e kësaj rritjeje lidhet direkt me zhvillimin e infrastrukturës për AI.
Një ligj i ri i shpejtësisë
Warsh e krahasoi progresin e AI-së me ligjin e njohur të Moore-it, sipas të cilit fuqia kompjuterike dyfishohet çdo dy vjet. Sipas tij, po zhvillohet një version "hiper" i këtij ligji, ku aftësitë e AI-së po rriten edhe më shpejt se parashikimet më optimiste të ekspertëve.
Ai vuri në dukje se kapitali dhe puna janë kombinuar për të krijuar modelet e mëdha gjuhësore që qëndrojnë në thelb të AI-së, ndërsa përdoruesit blejnë "tokens" për të hyrë në këto modele. Sipas raportimeve që citoi, shitjet vjetore të tokens vetëm nga dy laboratorët kryesorë të AI-së kalojnë 100 miliardë dollarë, një rritje prej mbi 500% krahasuar me një vit më parë.
AI si faktor i ri prodhimi
Sipas Warsh, Fed-i po e trajton tashmë AI-në si një ndryshore të re, madje potencialisht si një faktor të ri prodhimi, krahas punës, kapitalit dhe tokës. Kjo do të thotë se institucioni qendror amerikan po analizon si përdorimi i AI-së mund të ndikojë në kapacitetin real të ekonomisë për të rritur prodhimin pa shkaktuar inflacion të lartë.
Ai la pa përgjigje disa pyetje kyçe: nëse AI do të sjellë një rritje të qëndrueshme të produktivitetit në të gjithë ekonominë, dhe nëse përdorimi i tokens do të plotësojë ose do të zëvendësojë fuqinë punëtore. Një grup pune brenda Fed-it po studion këto çështje, por Warsh theksoi qartë se përfundimet e tij nuk do të ndikojnë vendimet aktuale të politikës monetare.
