Kompania japoneze Metaplanet, e njohur si një nga mbajtëset kryesore korporative të Bitcoin-it, ka konfirmuar se shitja e një pjese të rezervës së saj në tremujorin e tretë të vitit ishte thjesht një demonstrim force financiare, jo një ndryshim strategjie. Në një njoftim zyrtar të publikuar të hënën, kompania e listuar në Tokyo Stock Exchange tha se shiti 10,000 BTC për rreth 789.2 milionë dollarë, për t'i riblerë më pas 11,000 BTC me një vlerë prej 948.7 milionë dollarësh, me një çmim mesatar prej 86,246 dollarësh për monedhë.

Qëllimi pas transaksionit

Sipas Metaplanet, operacioni kishte për qëllim të forcojë besueshmërinë kreditore të kompanisë dhe t'i hapë rrugë financimeve të ardhshme, përfshirë obligacionet korporative dhe aksionet e preferuara. Në të njëjtën kohë, kompania theksoi se objektivi përfundimtar mbetet rritja e sasisë totale të Bitcoin-it në zotërim të grupit.

"Shitja nuk ishte thjesht një disponim formal i Bitcoin-it," u shpreh kompania në njoftim. "Ajo tregoi, përmes një transaksioni real, se grupi mund ta konvertojë Bitcoin-in e vet në para të gatshme dhe të mbajë likuiditet më të lartë se shuma totale e detyrimeve të tij me interes, përfshirë obligacionet dhe huamarrjet."

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë, Simon Gerovich, e përsëriti të njëjtën ide në një postim publik, duke theksuar se para se të riblinin sasinë e shitur, kompania mbajti likuiditetin në formë cash-i, duke dëshmuar aftësinë për ta bërë këtë në çdo moment.

Pozicioni i ri në treg

Me një bilanc prej 44,000 BTC, që vlerësohet rreth 3.7 miliardë dollarë me çmimet aktuale, Metaplanet mbetet mbajtësja e dytë më e madhe korporative e Bitcoin-it në botë, pas kompanisë amerikane Strategy. Kompania, e cila më parë operonte në sektorin e hoteleve dhe teknologjisë, e ndërroi plotësisht drejtimin e biznesit të saj drejt Bitcoin-it në vitin 2024.

Lëvizja vjen në një periudhë kur çmimi i Bitcoin-it po njeh rritje të ndjeshme, duke u dhënë frymëmarrje kompanive që mbajnë asete dixhitale si pjesë të strategjisë së tyre financiare. Pas një viti të vështirë për këtë model biznesi, aksionet e këtyre kompanive po shënojnë përsëri rritje, në linjë me rimëkëmbjen e çmimit të Bitcoin-it në tregun global.

#bitcoin#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje