Ofruesi i indekseve MSCI ka miratuar përfundimisht një ndryshim rregullash që mund të largojë nga indekset e tij kompanitë që mbajnë Bitcoin si rezervë kryesore, mes tyre edhe Strategy e Michael Saylor-it. Vendimi, i njoftuar më 15 tetor, parashikon që "kompanitë jo-operacionale" të konsiderohen të papranueshme për t'u përfshirë në indekset globale të tregut të investueshëm të MSCI-t. Ndryshimi hyn në fuqi në fund të datës 30 nëntor, si pjesë e rishikimit mujor të indekseve.


Metodologjia e re identifikon emetuesit që nuk kanë asete të mjaftueshme operacionale dhe që funksionojnë më shumë si instrumente investimi pasive sesa si biznese reale. Kompanitë që nuk kalojnë një "filtër bazë" fillestar i nënshtrohen më pas një testi përjashtimi bazuar në pesë tregues financiarë; një aksion klasifikohet si i papranueshëm nëse dështon në katër ose më shumë prej tyre.

Ndikimi te modeli i Strategy dhe imituesit

Rregulli synon drejtpërdrejt kompanitë, bilancet e të cilave dominohen nga një aset i vetëm, model i nisur nga Strategy, e cila zotëron qindra mijëra Bitcoin, dhe i përvetësuar më pas nga kompania japoneze Metaplanet dhe një sërë kompanish të tjera të ngjashme. Për të kufizuar lëvizjet e shpeshta brenda indekseve, MSCI ka vendosur disa mekanizma mbrojtës: kompanitë aktuale të indeksit do të hiqen vetëm nëse dështojnë në testin dy herë radhazi, në dy periudhat e fundit vjetore raportuese, ndërsa shtimet e reja bllokohen nëse dështojnë në njërën prej dy periudhave të fundit. Lista përfundimtare e kompanive të prekura do të publikohet më 11 nëntor.

Vendimi shënon gjithashtu fundin e një periudhe pezullimi të përkohshëm. Vitin e kaluar, teksa trendi i kompanive me rezerva kripto ishte në rritje të shpejtë, MSCI kishte ngrirë disa rregullime indeksi për kompanitë ku asetet digjitale përbënin 50% ose më shumë të aseteve totale. Ky masë e përkohshme tani shfuqizohet, dhe të gjitha këto kompani do të vlerësohen sipas rregullave të reja.

Reagimet e kompanive të prekura

Përjashtimi nga indekset kryesore të MSCI-t do të detyronte fondet që i ndjekin ato të shesin aksionet e prekura, duke vënë presion mbi çmimet dhe duke zvogëluar primin që këto kompani kanë tregtuar prej kohësh mbi vlerën e kriptomonedhave që zotërojnë. Saylor i kishte kërkuar më parë MSCI-t të tërhiqte atë që ai e quajti rregull "diskriminues", i cili do ta hiqte Strategy-n nga indekset referuese.

Kërcënimi i përjashtimit ka nxitur tashmë reagime mbrojtëse nga disa prej kompanive. Metaplanet shiti kohët e fundit 10,000 Bitcoin dhe riblleu 11,000, në një përpjekje për të demonstruar menaxhim aktiv të rezervave, ndërsa Strategy ka vazhduar të shtojë Bitcoin në portofolin e saj, pavarësisht pasigurisë së krijuar nga ky vendim.

#bitcoin#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje