Bursa e Nju Jorkut (NYSE) dhe platforma kripto Blockchain.com kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që synon nxjerrjen në treg të versioneve të tokenizuara të aksioneve amerikane. Sipas njoftimit zyrtar, nëse marrëveshja miratohet nga rregullatorët, përdoruesit e Blockchain.com do të kenë mundësi të tregtojnë aksione dhe fonde të tregtueshme (ETF) të listuara në SHBA përmes sistemit të ri alternativ dixhital të tregtimit që po ndërton NYSE.


Kjo hap një kapitull të ri në afrimin gjithnjë e më të madh mes Wall Street-it dhe botës së kriptomonedhave. Kompania mëmë e NYSE-së, Intercontinental Exchange, kishte njoftuar më herët këtë vit një investim në exchange-in kripto OKX, duke treguar interesin e vazhdueshëm të institucioneve financiare tradicionale për infrastrukturën blockchain.

Qasje më e gjerë për investitorët

Peter Smith, kryetar ekzekutiv dhe CEO i Blockchain.com, tha se njerëzit nuk duhet të kufizohen në zotërimin e aksioneve për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike apo mungesës së aksesit te brokerat tradicionalë. Sipas tij, lidhja me sistemin dixhital të NYSE-së do t'u japë dhjetëra miliona përdoruesve të Blockchain.com në mbarë botën mundësinë për të investuar në këto asete dixhitale.

Lynn Martin, presidente e grupit NYSE, theksoi se e ardhmja e tregjeve të kapitalit i takon institucioneve që bashkojnë besueshmërinë e financave tradicionale me inovacionin dhe aksesueshmërinë e aseteve dixhitale. Që në janar, NYSE kishte njoftuar ndërtimin e një platforme që do të lejonte blerjen dhe shitjen e versioneve të tokenizuara të aksioneve dhe ETF-ve amerikane, me shlyerje 24 orë në ditë përmes blockchain-it.

Rritje e interesit institucional

Interesi i Wall Street-it për tokenizimin e aseteve tradicionale ka qenë prezent prej vitesh, me kompani si BlackRock dhe Franklin Templeton që tashmë përdorin infrastrukturën blockchain për fondet e tyre monetare. Megjithatë, ritmi i këtyre zhvillimeve është përshpejtuar ndjeshëm pas ardhjes në pushtet të një administrate amerikane më të hapur ndaj kriptomonedhave.

Komisioni i Letrave me Vlerë i SHBA-së miratoi javën e kaluar tregtimin e aksioneve të tokenizuara, hap i cili konsiderohet vendimtar për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Në janar, indeksi S&P 500 i dha dritën jeshile platformës kripto Trade[XYZ] për të lançuar një kontratë derivative mbi exchange-in e decentralizuar Hyperliquid, duke mundësuar tregtimin e indeksit gjatë gjithë javës. Muajin e kaluar, Payward, kompania mëmë e Kraken, dhe SoFi Technologies njoftuan gjithashtu një bashkëpunim për të kanalizuar urdhrat kripto të klientëve të SoFi përmes platformës institucionale të Kraken.

#blockchain#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje