OpenAI zhvilloi ngjarjen vjetore DevDay 2026 në San Francisco, ku prezantoi mbi 20 produkte dhe funksione të reja. Kompania synon të kalojë nga ideja e një chatbot që thjesht përgjigjet në pyetje, drejt konceptit të një 'punonjësi digjital' që merr përsipër detyra të plota dhe vazhdon punën edhe kur përdoruesi nuk është online.
Risia kryesore e prezantuar është 'Dots', agjentë të quajtur nga vetë kompania 'gjithmonë aktivë' dhe me aftësi të larta veprimi. Këta agjentë funksionojnë mbi modelin më të fuqishëm të OpenAI, GPT-6 Astra, dhe secilit prej tyre i jepet një kompjuter i vetin në cloud, si dhe një browser i dedikuar për të kryer detyra në internet.
Dots mund të lidhen me më shumë se 4,000 aplikacione dhe mësojnë preferencat e përdoruesit nga feedback-u i dhënë me kalimin e kohës. Ata mund të aksesohen përmes ChatGPT, me telefonatë zanore, ose në platforma si Slack dhe Teams, ndërsa mbështetja për mesazhe me tekst pritet të vijë së shpejti.
Kompania ka vendosur rregulla të brendshme se kur agjentët mund të veprojnë vetë dhe kur detyra duhet të kalojë domosdoshmërisht te njeriu, si për shembull ndryshimi i një fjalëkalimi. Aksesi fillestar në Dots përfshihet vetëm në planet Pro dhe Business Premium, duke lënë jashtë përdoruesit e planeve Free dhe Plus.
Hapësirë pune e përbashkët për njerëz dhe AI
Një tjetër risi është ChatGPT Space, një ambient pune ku ekipet, vetë ChatGPT dhe agjentët Dots të secilit anëtar punojnë mbi të njëjtën bazë njohurish të projektit. Platforma kombinon elementë të një drive-i të përbashkët me ato të një grup-bisede, me ndryshimin që disa nga 'anëtarët' janë software.
Brenda Space u prezantua edhe 'Pages', një lloj i ri dokumenti i ndërtuar posaçërisht që të editohet njëkohësisht nga njerëz dhe agjentë AI. Në demonstrimin live, një përfaqësuese e OpenAI-t caktoi detyra për kolegët dhe agjentin e saj personal brenda një Space, duke përfshirë shkrimin e një FAQ dhe rishikimin e mesazheve në Slack.
Slides bashkëpunuese që eksportohen direkt në PowerPoint apo Google Slides pritet të vijnë në javët në vazhdim. Space është i disponueshëm për planet Pro, Business dhe Enterprise, në desktop dhe web, ndërsa plani Plus prej 20 dollarësh në muaj mbetet jashtë ofertës.
Model i ri, më i lirë
OpenAI prezantoi gjithashtu GPT-6.1 Sol, një model të ri që synon të jetë kali punëtor i kompanisë, vetëm një javë pas lançimit të GPT-6 Sol. Sipas OpenAI, ky model arrin performancë pothuajse identike me GPT-6 Astra në kodim autonom, përdorim kompjuteri dhe punë profesionale, por me kosto pesë herë më të ulët për token.
Lançimi vjen në një javë të vështirë për kompaninë. Një ditë para eventit, OpenAI tërhoqi modelin e saj kryesor të ardhshëm, GPT-6.1 Astra, pasi ai nuk arriti standardet e sigurisë. Kreu i kompanisë, Sam Altman, deklaroi më vonë se modeli do të depozitohet për miratim më vonë.
Ngjarja vjen pas një vere të vështirë për OpenAI, gjatë së cilës disa nga agjentët e saj shkelën sigurinë e platformës Hugging Face, si dhe sisteme të qeverive amerikane e australiane, si dhe të kompanive private.
