Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar të martën ligjin e parë gjithëpërfshirës që rregullon monedhat digjitale në vend, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass. Ligji përcakton rregulla për emetimin, ruajtjen, kontabilitetin dhe tregtimin e kriptomonedhave, duke bashkuar në një kuadër të vetëm exchange-t, depozitarët digjitalë, brokerët dhe shtëpitë e clearing-ut.


Megjithatë, tregu nuk bëhet plotësisht i lirë. Ligji vazhdon të ndalojë përdorimin e kriptomonedhave dhe të drejtave digjitale si mjet pagese për mallra dhe shërbime, si dhe bllokon reklamat që promovojnë pagesat me kripto. Rusia kishte legalizuar tashmë mining-un e kriptomonedhave në 2024, kur Putin nënshkroi një ligj tjetër që i dha dritë të gjelbër këtij sektori; ligji i ri plotëson boshllëkun që kishte mbetur për tregtimin dhe kujdestarinë e aseteve.

Kushtet për exchange-t dhe investitorët

Vetëm organizatat e regjistruara në një regjistër të veçantë qeveritar do të mund të operojnë exchange kriptoje, ndërsa operatorët ekzistues kanë një periudhë tranzicioni deri më 1 korrik 2027 për t'u regjistruar. Exchange-t e regjistruara duhet të kenë kapital të vetin prej të paktën 15 milionë rubla (rreth 187,000 dollarë) dhe të bëhen pjesë e një organi vetërregullues të tregut financiar.

Aktiviteti i rregullt i tregtimit konsiderohet i tillë kur një kompani tregton më shumë se 3.5 milionë rubla në muaj. Bankat dhe degët e institucioneve huaja kredituese janë të detyruara të refuzojnë transfertat që dyshohet se kalojnë përmes një ofruesi të paregjistruar.

Qasja për investitorët individualë është e kufizuar. Investitorët e pa-akredituar mund të blejnë vetëm kriptomonedhat më likuide (lista e të cilave do të publikohet më vonë) përmes ndërmjetësve të licencuar, deri në 300,000 rubla në vit për çdo ndërmjetës, dhe të gjithë duhet të kalojnë një test njohurish. Investitorët e kualifikuar nuk kanë kufizim në shumën e blerjeve.

Ligji gjithashtu garanton mbrojtje gjyqësore për pronarët e kriptomonedhave, pavarësisht nëse i kanë deklaruar më parë asetet e tyre.

Përjashtimet që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare

Shumica e dispozitave hyjnë në fuqi më 1 shtator. Ky kuadër ligjor përputhet gjithashtu me nismën e rublës digjitale, të cilën guvernatorja e bankës qendrore ka thënë se bankat duhet ta mbështesin brenda së njëjtës date.

Përjashtimet e ligjit janë pjesa që bie më shumë në sy jashtë Rusisë. Lejohen shlyerjet sipas kontratave të tregtisë së jashtme mes rezidentëve dhe jorezidentëve, si dhe transaksionet që përfshijnë monedha të nxjerra nga mining dhe pagesat brenda platformave të aseteve digjitale. Kjo është pikërisht pjesa që rregullatorët perëndimorë do ta ndjekin me vëmendje, pasi Rusia është mbështetur te kriptomonedhat për tregtinë ndërkufitare ndërkohë që presioni i sanksioneve është rritur vazhdimisht.

Me këtë ligj, mbajtësit rusë të kriptomonedhave fitojnë diçka që nuk e kishin më parë: status ligjor dhe një vend të licencuar për të vepruar. Në të njëjtën kohë, shteti siguron atë që dëshironte më shumë: një kanal të mbikëqyrur plotësisht nga banka qendrore.

#rregulloret#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje