Zyra e Kontrollorit të Monedhës (OCC), rregullatori kryesor bankar në Shtetet e Bashkuara, ka publikuar një raport ku trajtohet fenomeni i njohur si "debanking" — praktika e bankave për t'u ndërprerë shërbimet financiare klientëve të caktuar. Mes sektorëve të përmendur figurojnë edhe aktivitetet e lidhura me asetet digjitale.


Sipas raportit të publikuar të mërkurën, disa banka kishin politika zyrtare apo jozyrtare që kufizonin shërbimet për industri të ndryshme, duke përfshirë naftën, gazin, duhanin, armët e zjarrit dhe asetet digjitale. Dokumenti u hartua në përputhje me një urdhër ekzekutiv të lëshuar nga Presidenti Donald Trump në gusht të vitit 2025, që synonte parandalimin e asaj që ai e quajti "debanking i paligjshëm".

OCC theksoi se "shumë institucione kanë vendosur kufizime mbi aktivitetet bankare të lidhura me asetet digjitale, përfshirë emetuesit, exchange-t apo administratorët, shpesh duke e justifikuar këtë me konsiderata rreth krimit financiar".

Mungojnë shembuj konkretë

Më herët, në nëntor 2024, mbi 30 drejtues të kompanive teknologjike dhe kripto kishin pretenduar se u ishte mohuar qasja në shërbime bankare. Pjesë e industrisë e quajti këtë fenomen "Operation Chokepoint 2.0", në referencë ndaj një nisme të ngjashme të erës Obama kundër mashtrimit dhe pastrimit të parave.

Sidoqoftë, raporti 47-faqesh i publikuar të mërkurën nuk përfshiu shembuj specifikë të debanking-ut të lidhur me aktivitetet e kriptomonedhave. OCC pranoi se nuk arriti të përcaktojë në mënyrë gjithëpërfshirëse shkallën reale të këtyre praktikave, bazuar në shqyrtimin e nëntë bankave kryesore.

Fokusi te qymyri dhe armët

Drejtuesi i OCC, Jonathan Gould, u përqendrua kryesisht te rastet e debanking-ut të lidhura me industrinë e qymyrit dhe të armëve. Sipas tij, vendimet e bankave shpesh nuk janë bazuar në rrezik financiar real.

"Këto vendime nuk ishin të bazuara në rrezik financiar," u shpreh Gould. "Në vend të kësaj, bankat përmendën shqetësime për titujt negativë në media, protestat publike dhe pasojat e perceptuara për reputacionin e tyre nga mbështetja e këtyre industrive."

Urdhri ekzekutiv i Trump i vitit 2025 erdhi pas kërkesave të shumta nga industria, e cila kishte akuzuar administratën e ish-Presidentit Joe Biden se kishte ndikuar institucionet financiare për të ndërprerë shërbimet ndaj kompanive të kriptomonedhave.

#rregulloret#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje