Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë (SEC) ka dhënë një qëndrim mbështetës për Canton Coin, token-in zyrtar të Canton Network, blockchain-i që po përdoret gjithnjë e më shumë nga institucione financiare për tokenizimin e aseteve tradicionale. Në një letër të publikuar të martën, Divizioni i Financave Korporative pranë SEC-së tha se e sheh Canton Coin si “mall digjital”, bazuar në interpretimin e marsit se si ligjet për letrat me vlerë aplikohen te asetet kripto.


Stafi i agjencisë theksoi gjithashtu se nuk do të rekomandojë veprime ligjore nëse validatorët dhe ofruesit e aplikacioneve në Canton krijojnë token-in në mënyrë programatike, pa e regjistruar atë si letër me vlerë. Vendimi erdhi vetëm disa ditë pasi Depository Trust & Clearing Corporation nisi një shërbim tokenizimi që funksionon mbi Canton dhe rrjetin e vet privat, duke u mundësuar firmave të konvertojnë aksione dhe bono thesari të mbajtura në DTC në formën e token-eve. Morgan Stanley konfirmoi se ishte një ndër bankat e para që përdori këtë shërbim.

Argumentet pas vendimit

Stafi i SEC-së u mbështet te dy pretendime kryesore të paraqitura nga avokatët e Canton. I pari ka të bëjë me faktin se vlera e token-it rrjedh nga funksionimi automatik i rrjetit dhe nga raporti ofertë-kërkesë, jo nga përpjekjet drejtuese të një grupi të caktuar personash. I dyti lidhet me mungesën e një “pale qendrore” që kontrollon rrjetin.

Sipas Canton, token-i u lançua pa asnjë ofertë fillestare monedhash dhe pa “premine”, ndërsa në fazat e para mund të fitohej vetëm duke operuar infrastrukturën apo aplikacionet e rrjetit. Letra e SEC-së sqaron qartë se reflekton vetëm qëndrimin e stafit lidhur me zbatimin e ligjit, jo një përfundim ligjor përfundimtar, dhe bazohet tërësisht te faktet e paraqitura nga Canton.

Një trend në rritje për tokenizimin

Sipas kompanisë Digital Asset, zhvilluesja e Canton Network, kjo letër përbën lehtësimin e parë të këtij lloji që nga publikimi i interpretimit të marsit nga SEC-ja, i cili konkludoi se shumica e aseteve kripto nuk janë letra me vlerë. Vendimi vjen gjithashtu pas propozimit të gushtit të agjencisë për rregullat mbi asetet kripto.

Zhvillimi përkon me një zhvendosje më të gjerë në qasjen rregullatore amerikane, pas bllokimit në Senat të një projektligji të rëndësishëm për kriptomonedhat. Kreu i SEC-së ka theksuar më herët se agjencia është e gatshme të veprojë vetë nëse Kongresi vonon miratimin e rregullave të qarta. Digital Asset ka mbledhur këtë vit mbi 355 milionë dollarë financim nga firma të Wall Street-it dhe një fond sovran pasurie.

#rregulloret#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje