Prokurorja e Përgjithshme e New York-ut, Letitia James, po përpiqet të sigurojë një vendim gjyqësor në vlerë 1.37 miliardë dollarësh kundër personave që drejtuan NovaTech dhe paraardhësen e saj, AWS Mining. Të dyja këto skema investimi me kriptomonedha akuzohen se kanë mashtruar qindra mijëra investitorë në mbarë botën, duke u shkaktuar dëme mbi 1 miliard dollarë.


Themeluesit e pretenduar, Cynthia dhe Eddy Petion, nuk janë paraqitur asnjëherë në gjykatë dhe, sipas zyrës së prokurores, kanë lënë vendin. Sipas James, viktimat ishin kryesisht komunitete emigrantësh, të cilëve u premtohej një jetë më e mirë, por në fakt u merreshin kursimet e tyre përmes një skeme piramidale.

Promovuesit e skemës rekrutonin intensivisht brenda komuniteteve emigrante, duke përdorur grupe lutjesh, biseda në WhatsApp dhe reklama në gjuhën kreole haitiane.

Si funksiononte mashtrimi

AWS Mining fillimisht shiste kontrata minierash kriptoje, duke premtuar kthime mujore prej 15 deri në 20 për qind dhe 200 për qind brenda 15 muajsh. Kompania u shemb në vitin 2019. Menjëherë pas kësaj, çifti Petion lançoi NovaTech, duke e paraqitur si një ndërmjetës i regjistruar fondesh hedge, me premtime për kthime javore prej dy deri në katër për qind — pra mbi 140 për qind në vit.

Sipas prokurorisë, këto kthime ishin plotësisht të shpikura. Të dhënat nga ofruesi i platformës së tregtimit tregojnë se nga më shumë se 1 miliard dollarë të depozituara mes viteve 2019 dhe 2023, vetëm rreth 26 milionë dollarë u përdorën realisht për tregtim, dhe prej tyre tregtarët e NovaTech humbën 18.2 milionë dollarë. Fitimet e paguara investitorëve të hershëm vinin, në fakt, nga depozitat e investitorëve të rinj. Kur NovaTech u shemb në mesin e vitit 2023, dhjetëra mijëra investitorë nuk arritën dot të tërhiqnin fondet e tyre.

Kërkesat financiare dhe pasojat ligjore

Përveç shumës kryesore, prokuroria po kërkon edhe 134.5 milionë dollarë që çifti Petion thuhet se i ka transferuar në wallet-et e veta personale nga llogaria e investitorëve, e kontrolluar vetëm nga Cynthia Petion, si dhe 4.7 milionë dollarë të lidhura me skemën e mëparshme AWS Mining.

Një vendim gjyqësor i dhënë në mungesë, në gusht 2025, tashmë e ndalon çiftin dhe kompanitë e tyre nga pjesëmarrja në industrinë e letrave me vlerë, të mallrave dhe të kriptomonedhave. Veç kësaj, katër nga promovuesit kryesorë të skemës kanë pranuar të paguajnë rreth 6 milionë dollarë si kompensim për viktimat dhe i janë nënshtruar të njëjtave ndalime në industri.

#rregulloret#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje