Signal, platforma e njohur për mesazhe të enkriptuara, ka njoftuar se po merr masa për të mbrojtur bisedat e përdoruesve nga asistentët e inteligjencës artificiale që tashmë janë pjesë e sistemeve operative të telefonave. Kompania do të bllokojë veçoritë e reja "agentike" të AI-së të ndërtuara në iOS 27, ndërsa në Android do të aktivizojë automatikisht një opsion sigurie të ekranit sapo të zbulojë se një asistent AI po përpiqet të lexojë përmbajtjen e ekranit të Signal-it.
Ky hap vjen si vazhdim i një strategjie që Signal e kishte përdorur edhe vitin e kaluar kundër funksionit Recall të Microsoft-it në Windows, i cili regjistronte periodikisht screenshot-e të ekranit. Edhe atëherë, kompania e bllokoi këtë funksion për të parandaluar ruajtjen e paautorizuar të mesazheve.
Shqetësimi për privatësinë
Sipas Signal, problemi qëndron te mënyra se si funksionojnë agjentët e AI-së të integruar në sistemin operativ: ata "skanojnë" çdo gjë që shfaqet në ekran, duke përfshirë edhe mesazhet private. Kjo do të thotë që të dhënat përfundojnë në baza të dhënash lokale ose në serverë të largët, jashtë kontrollit të Signal-it dhe përtej garancive të enkriptimit që kanë qenë thelbi i aplikacionit për një dekadë.
Presidentja e Signal-it, Meredith Whittaker, e ka cilësuar këtë situatë si një "kërcënim ekzistencial" ndaj misionit të platformës. Sipas saj, kompanitë Apple, Google dhe Microsoft po e kthejnë mjedisin ku funksionojnë aplikacionet në një vend gjithnjë e më armiqësor ndaj privatësisë së përdoruesve.
Përdoruesit që duan ende të bëjnë screenshot-e mund ta çaktivizojnë këtë mbrojtje nga cilësimet e aplikacionit, por kompania paralajmëron se kjo mund t'i ekspozojë mesazhet e tyre, si dhe ato të kontakteve, ndaj agjentëve të AI-së. Signal ka pranuar gjithashtu se zgjidhja nuk është e plotë, pasi nuk ndalon metoda më të fshehta aksesi, siç është marrja e të dhënave direkt nga sistemi i skedarëve të pajisjes. Për më tepër, masa ende nuk mund të zbatohet në macOS, pasi Apple nuk ofron mjetet e nevojshme të dokumentuara për bllokim të besueshëm të screenshot-eve.
Thirrje për transparencë
Kompania ka kërkuar nga gjigantët e teknologjisë që t'u ofrojnë zhvilluesve një mënyrë të thjeshtë dhe të dokumentuar për të përjashtuar aplikacionet e tyre nga aksesi i AI-së, si dhe të publikojnë specifikime të qarta se si funksionojnë agjentët e tyre. Signal thotë se i ka marrë muaj të tërë "hetime forenzike" vetëm për të kuptuar se si këto sisteme përpunojnë të dhënat.
Kompania ka ngritur shqetësim edhe për agjentë të palëve të treta, duke përmendur se disa prej tyre shfrytëzojnë lejet e qasshmërisë së krijuara për të ndihmuar përdoruesit, duke i kthyer në një mjet aksesi të pakufizuar për AI-në. Një rast i dokumentuar tregoi se një agjent i tillë kishte arritur të aksesonte mesazhe private, pavarësisht cilësimeve të privatësisë, duke ngritur më tej shqetësimet për thellësinë e aksesit që këta agjentë mund të kenë mbi pajisjet personale.
