Riksbank, banka qendrore e Suedisë, i ka rekomanduar parlamentit të fillojë përgatitjen e legjislacionit për një kronë digjitale të mundshme. Vendimi vjen tre vjet pasi një hetim qeveritar kishte konkluduar se nuk kishte nevojë të mjaftueshme për një monedhë të tillë dixhitale të bankës qendrore.
Në një letër drejtuar Komisionit të Financave të parlamentit, të datës 7 tetor dhe të publikuar të enjten, Riksbank argumenton se zhvillimet në nivel evropian dhe rritja e përdorimit të stablecoin-eve e bëjnë të domosdoshme rishqyrtimin e kësaj çështjeje. Banka paralajmëron se sistemi i pagesave i Suedisë rrezikon të humbasë konkurrueshmëri nëse nuk ka një version dixhital të monedhës së vendit.
Euroja digjitale si shtysë kryesore
Letra i referohet drejtpërdrejt planeve të Bankës Qendrore Evropiane për një pilot të euros digjitale në vitin 2027, me një lançim të mundshëm publik në 2029. Sipas Riksbank, mungesa e një alternative suedeze mund ta lërë vendin pas në garën për infrastrukturën e re të pagesave dixhitale në Evropë.
Përveç euros digjitale, banka qendrore identifikon edhe përdorimin në rritje të stablecoin-eve të lidhura me valuta të huaja, veçanërisht me dollarin amerikan, si një shqetësim afatgjatë. Megjithatë, Riksbank vlerëson se rreziku në të ardhmen e afërt mbetet i kufizuar.
Presion i mundshëm mbi kronën
"Nëse stablecoin-et e lidhura me valuta të huaja konsiderohen tërheqëse si mjet pagese, përdorimi i kronës suedeze mund të vihet nën presion edhe brenda kufijve të Suedisë", thuhet në letrën e dërguar parlamentit.
Sipas vlerësimeve të Riksbank, zhvillimi i një kronë digjitale do të kërkonte të paktën pesë vjet, pa llogaritur kohën e nevojshme për ndryshimet ligjore. Për këtë arsye, banka rekomandon që përgatitjet ligjore të fillojnë tani, pavarësisht nëse Suedia do të vendosë përfundimisht të mos lançojë një monedhë dixhitale të bankës qendrore.
