Një version i mbështjellë i kriptomonedhës Monero humbi pothuajse gjithë vlerën e tij të premten, pasi një sulmues arriti të kontrollojë wallet-in e deployer-it dhe derdhi sasi të mëdha tokenash në treg.


Token-i XMR1, i emetuar nga shërbimi i shkëmbimit cross-chain Wagyu dhe që përfaqëson Monero-n në platformën Hyperliquid, ra me mbi 99% brenda rreth gjysmë ore, nga rreth 500 dollarë në vetëm 1 dollar.

Sipas një analize të firmës së të dhënave onchain Bitquery, llogaria që kishte emetuar token-in dërgoi 5.2 milionë XMR1 drejt një llogarie të re, të krijuar po atë mëngjes. Kjo llogari shiti më pas rreth 364,000 tokena tek 388 blerës, duke përfituar 13.5 milionë dollarë, shumë që u konvertua menjëherë në ETH. Sipas kontrollit të fundit nga Bitquery, rreth 7,350 ETH ndodheshin në tre wallet-e të ndryshme.

Si funksionon XMR1

Monero është një kriptomonedhë e orientuar nga privatësia, që fsheh identitetin e dërguesit, marrësit dhe shumën e transaksionit. Për shkak se funksionon mbi blockchain-in e vet, ajo nuk mund të tregtohet drejtpërdrejt në Hyperliquid. Wagyu shërben pikërisht si urë lidhëse, duke lejuar përdoruesit të depozitojnë Monero dhe të marrin në këmbim XMR1, që më vonë mund ta shkëmbejnë përsëri me monedhën origjinale. Vetë rrjeti i Monero-s nuk u prek nga ky incident.

Fajin e ka hosting-u, thotë themeluesi

Themeluesi pseudonim i Wagyu, i njohur si PerpetualCow, deklaroi se shkaku i sulmit ishte një shkelje sigurie te ofruesi islandez i hosting-ut 1984.hosting. Sipas tij, çelësi privat i deployer-it të XMR1 ishte ruajtur dikur në një server të vjetër, të cilin e kishte fshirë, por kompania dukej se kishte mbajtur ende regjistrat dhe skedarët përkatës.

"Mësimi këtu është se këta ofrues hosting-u i mbajnë të dhënat/regjistrat tuaja edhe pasi ta fshini serverin me ta", shkroi ai në rrjetet sociale.

Kompania 1984 ehf., që menaxhon shërbimin, konfirmoi se kishte pësuar një sulm kibernetik të gjerë dhe serioz ndaj infrastrukturës së saj IT, sipas një deklarate të përbashkët me ekipin kombëtar islandez të reagimit ndaj incidenteve kibernetike, CERT-IS. Gjetjet e para sugjerojnë një sulm të organizuar mirë dhe teknikisht të sofistikuar, ndërsa kompania nuk përjashtoi mundësinë që edhe sisteme të tjera të jenë prekur. Të gjitha shërbimet u ndërprenë përkohësisht, ndërsa deklarata nuk përmendi specifikisht Wagyu apo nëse ishin vjedhur të dhëna të klientëve.

#altcoins#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje