Kjo javë është shumë e rëndësishme për tregjet financiare. Kemi tri ngjarje që mund të ndikojnë në tregun e stocks, kriptove, arit dhe dollarit: mbledhja e FOMC, të dhënat e ekonomisë (GDP dhe PCE) dhe poashtu raportet e fitimeve për kompanitë teknologjike Microsoft, Amazon, Intel dhe Alphabet. Javën tjetër, më 3 nëntor, janë edhe zgjedhjet midterms në Amerikë.


Çka presim nga mbledhja e FOMC të mërkurën, më 28 tetor?

FED është institucioni që vendos normat bazë të interesit në Amerikë. Kur normat rriten, huamarrja bëhet më e shtrenjtë dhe ekonomia zakonisht ngadalësohet. Kur normat ulen, huamarrja bëhet më e lirë dhe kjo mund t'i ndihmojë bizneset dhe investimet.

Pritjet janë që këtë të mërkurë Fed ta mbajë normën e interesit të pandryshuar, në nivelin 3.75%–4.00%, për dallim nga mbledhja e muajit të kaluar ku i rriti ato për 0.25%.

Mirëpo kjo nuk do të thotë se FED nuk do t'i rrisë më normat e interesit, pasi që menjëherë të nesërmen dalin të dhënat e PCE inflacionit, që janë edhe metriku i preferuar i FED sa i përket inflacionit dhe që mund të ndikojnë që të kemi një tjetër rritje të normës së interesit në mbledhjen e ardhshme të FOMC në muajin dhjetor.

Por rëndësi më të madhe se sa mosngritja e normës së interesit në mbledhjen e të mërkurës do të ketë fjalimi i Warsh, ku me kujdes duhet të përcillet toni i tij dhe pritet të tregojë se edhe sa rritje të tjera mund të bëjë FED, pasi që inflacioni është ende larg targetit të FED prej 2%.

Çka pritet nga të dhënat e ekonomisë amerikane ditën e enjte, më 29 tetor?

GDP: si është gjendja e ekonomisë amerikane?

Të enjten publikohen dy raporte shumë të rëndësishme për ekonominë amerikane. GDP mat vlerën e mallrave dhe shërbimeve që prodhon ekonomia, pra na tregon nëse ekonomia po ecën përpara apo po ngadalësohet.

Pritshmëritë para publikimit janë për rritje vjetore të llogaritur të GDP-së rreth 3.0%–3.3% për tremujorin e tretë.

Nëse ekonomia del më e fortë se pritjet, atëherë nuk mund të presim që FED të fillojë me ulje të normave të interesit në një të ardhme të afërt. Mirëpo nëse të dhënat dalin më poshtë se pritshmëritë, tregu mund të fillojë të presë politika më të lehta nga Fed, e mbase që as në dhjetor të mos ketë rritje të normës së interesit.

PCE: a po qetësohet inflacioni?

Të dhënat e PCE për inflacionin janë edhe të dhënat e preferuara të FED mbi gjendjen e inflacionit, e që pastaj në bazë të tyre vendoset për rritjen ose jo të normave të interesit.

Pritshmëritë për PCE – shtator 2026

TreguesiGusht (rezultati paraprak)Shtator (pritshmëria)
PCE total (mujor)+0.3%+0.5%
PCE total (vjetor)+3.4%+3.7%
Core PCE (mujor)+0.2%+0.3%
Core PCE (vjetor)+3.0%+3.1%

Të dhënat e CPI dhe PPI të cilat u publikuan këtë muaj dolën më lart se pritshmëritë, e që tregojnë se inflacioni në Amerikë ende është larg targetit të FED-it për inflacion rreth 2%. Nëse edhe të dhënat e PCE dalin më të larta se pritshmëritë, atëherë do të jetë gati se e sigurt se FED do t'i rrisë normat e interesit në mbledhjen e ardhshme që e ka në muajin dhjetor, dhe poashtu do të mund të shkaktonte edhe rënie në nivele më të ulëta se tani në tregjet financiare.

Mirëpo nëse të dhënat dalin brenda pritshmërive të FED, sidomos është e rëndësishme si do të dalin të dhënat e Core PCE, të cilat e tregojnë nivelin e inflacionit duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë. Dihet se ngritja e çmimeve të naftës në këto javët e kaluara, si rezultat i konflikteve të vazhduara në Lindjen e Mesme, është duke ndikuar në ngritjen e çmimeve të energjisë, që ka edhe ndikim të madh në ngritjen e inflacionit.

Midterms 2026: çka na mëson historia dhe çka mund të ndodhë këtë herë?

Për ta kuptuar se si mund të reagojnë tregjet rreth zgjedhjeve amerikane të 3 nëntorit, duhet t'i ndajmë dy gjëra: si sillen tregjet zakonisht gjatë zgjedhjeve midterm dhe çfarë po ndodh konkretisht me ekonominë amerikane në vitin 2026.

Historia na jep disa modele interesante, por këtë herë kemi një kombinim të veçantë: yield-et afatshkurtra dhe afatgjata po bien, inflacioni mbetet problem dhe Fed-i duhet të vendosë nëse duhet të vazhdojë me politikë monetare të shtrënguar.

Çka na tregon historia e midterms?

Sipas analizës së J.P. Morgan Asset Management të publikuar më 7 tetor 2026, që nga viti 1950, S&P 500 ka shënuar kthim pozitiv në 12 muajt pas çdo zgjedhjeje midterm, me një mesatare prej rreth 15%. Po ashtu, tremujori i katërt i viteve midterm ka pasur mesatarisht kthim rreth 6.6%.

A bien tregjet para midterms?

Sipas Fidelity, vitet midterm kanë historikisht performancë më të dobët se vitet e tjera të ciklit presidencial, ndërsa 12 muajt pas zgjedhjeve kanë qenë pozitivë në rreth 95% të rasteve që nga viti 1938. Fidelity thekson gjithashtu se rezultatet kanë ndryshuar shumë nga një cikël në tjetrin.

Një shembull i rëndësishëm është viti 2022, kur S&P 500 ra rreth 18% gjatë vitit. Por kjo nuk ishte thjesht pasojë e zgjedhjeve: inflacioni i lartë dhe rritjet agresive të normave të Fed-it ushtruan presion të madh mbi aksionet.

Në vitin 2018, S&P 500 gjithashtu përfundoi vitin në territor negativ, ndërsa tregu u përball me shtrëngim monetar dhe tensione tregtare.

Çka e bën vitin 2026 ndryshe?

Ekonomia vazhdon të rritet (GDP)

Pritjet para publikimit të vlerësimit të parë të GDP-së për tremujorin e tretë janë afërsisht 3.0%–3.3% me normë vjetore të llogaritur. Kjo do të tregonte aktivitet ekonomik relativisht të fortë, nëse konfirmohet. Ndërkohë, projeksionet e shtatorit të Fed-it parashikojnë rritje reale prej 2.3% për gjithë vitin 2026, një matje tjetër nga norma vjetore e një tremujori.

Inflacioni mbetet i lartë (PCE)

Në projeksionet e shtatorit, Fed-i e vendosi inflacionin PCE për vitin 2026 në 3.7% dhe Core PCE në 3.4%. Këto janë projeksione vjetore për vitin, jo rezultatet mujore të shtatorit. Ato tregojnë se lufta kundër inflacionit nuk ka përfunduar.

Yield-et janë në rënie (Treasury 2Y dhe 10Y)

Të premten e kaluar patëm rënie të yield-eve 2Y dhe 10Y, dhe kjo është pjesa që mund të bëhet vendimtare për drejtimin e tregut.

Yield-i 2-vjeçar është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pritjeve për normat e Fed-it në muajt e ardhshëm. Yield-i 10-vjeçar pasqyron gjithashtu pritjet afatgjata për rritjen, inflacionin dhe rrezikun fiskal.

Kur të dy bien, ekzistojnë dy interpretime kryesore.

Interpretimi bullish: presion më i vogël nga normat. Tregu pret që inflacioni të qetësohet dhe Fed-i të mos ketë nevojë për shtrëngim të mëtejshëm. Yield-et më të ulëta mund ta ulin koston e kapitalit dhe t'i bëjnë aksionet e rritjes më tërheqëse.

Interpretimi bearish: frikë për ekonominë. Investitorët presin ngadalësim të aktivitetit ekonomik dhe blejnë obligacione për siguri. Yield-et bien, por aksionet mund të bien gjithashtu sepse tregu pret fitime më të dobëta të kompanive.

Kjo është arsyeja pse nuk do ta merrja rënien e yield-eve si sinjal të mjaftueshëm për drejtimin e tregut, pasi që duhet të përcjellim disa javë situatën me yield-et për të pasur një pasqyrë më të mirë se çka mund të presim në vazhdim.

Prandaj është e rëndësishme të kuptohet pse po bien yield-et.

Skenari pozitiv: yield-et bien sepse inflacioni po ngadalësohet dhe tregu pret që Fed të ketë mundësi t'i ulë normat ose të mos i rrisë më njëherë, për të mos dëmtuar ekonominë. Ky do të ishte një mjedis potencialisht i favorshëm për tregun e stocks dhe kriptovalutave.

Skenari negativ: yield-et bien sepse investitorët po kërkojnë siguri nga frika e një ngadalësimi të fortë ekonomik. Në këtë rast, rënia e yield-eve mund të shoqërohet me rënie të aksioneve, forcim të dollarit në momente stresi dhe largim nga asetet me rrezik.

Prandaj, për ta kuptuar më mirë arsyen pse po bien yield-et, janë shumë të rëndësishme të dhënat e ekonomisë amerikane ditën e enjte, më 29 tetor.

Si përfundim

Historia se si kanë performuar tregjet në periudhat pas zgjedhjeve midterm mund të ketë rëndësinë e vet, dhe përsëri të kemi ecuri pozitive të tregjeve në 12 muajt e ardhshëm. Mirëpo poaq e rëndësishme është gjendja e ekonomisë amerikane dhe inflacioni. Vitet 2002, 2018 dhe 2022 tregojnë se faktorët ekonomikë mund të kenë ndikim shumë më të madh se sa historia se si kanë reaguar tregjet në muajt pas midterms.

#opinion#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje