Sot në orën 14:30, koha e Kosovës, Amerika i publikon të dhënat e inflacionit për muajin tetor. Është raporti i fundit i madh i çmimeve para mbledhjes së Fed-it më 9 dhjetor, dhe pas asaj që ndodhi të premten, pesha e tij është rritur shumë. I gjithë tregu do të shikojë një shifër të vetme: core CPI.
Çka ndodhi të premten dhe pse ndryshoi gjithçka
Të premten dolën të dhënat e punësimit në Amerikë dhe ato dolën shumë më të forta se sa priste tregu. Ekonomia amerikane shtoi 165 mijë vende pune në tetor, kur pritshmëria ishte rreth 59 mijë. Pra, gati tre herë më shumë se sa llogaritej.
Nuk ishte vetëm numri kryesor. Papunësia ra në 4.1%, nga 4.2% sa ishte, edhe pse pritej të mbetej e njëjtë. Përveç kësaj, të dhënat e dy muajve të kaluar u rishikuan lart për rreth 84 mijë vende pune shtesë.
Për Fed-in, kjo do të thotë një gjë: tregu i punës nuk është duke u ftohur ashtu siç mendohej. Dhe kur tregu i punës është i fortë, Fed ka më pak arsye të ndalet nga rritja e normave të interesit.
Pse u rritën gjasat për një rritje në dhjetor
Më 28 tetor Fed e ngriti normën bazë në 4.00%. Mbledhja e radhës e FOMC-së është më 9 dhjetor, dhe pas raportit të punësimit tregu filloi t'i japë shumë më shumë gjasa një rritjeje tjetër prej 25 pikësh bazë.
Këtu hyn raporti i sotëm. Nëse inflacioni tregon se po ngadalësohet, Fed fiton hapësirë të presë. Nëse jo, rritja në dhjetor bëhet gati e pashmangshme.
Çka është core CPI dhe pse shikohet ai, jo numri i madh
CPI është indeksi i çmimeve të konsumit, pra sa janë shtrenjtuar mallrat dhe shërbimet që blen një familje mesatare.
Core CPI është i njëjti indeks, por pa ushqimin dhe pa energjinë. Këto dy kategori hiqen sepse lëvizin shumë dhe shpejt: një stuhi e ngrit perimen, një konflikt e ngrit naftën, dhe muajin tjetër bien prapë. Kur i heq ato, mbetet tendenca e vërtetë e inflacionit, ajo që tregon nëse çmimet po rriten në tërë ekonominë apo vetëm te dy artikuj të paqëndrueshëm.
Pikërisht për këtë arsye Fed i jep më shumë peshë core-it se sa numrit kryesor. Numri kryesor të tregon se çka ndodhi, core-i të tregon se ku po shkon.
Numri që duhet parë sot
Pritshmëria e ekonomistëve për core CPI në tetor është 0.2% nga muaji në muaj, ndërsa për numrin kryesor rreth 0.3%, nga 0.6% sa ishte në shtator. Nowcast-i i Fed-it të Clevelandit është rreth 0.24% për numrin kryesor.
Rëndësia është kjo: core CPI duhet të dalë nën 0.3%, më saktësisht 0.2% ose më poshtë. Dy muajt e fundit ai doli 0.3% dhe 0.3%, pra dy herë radhazi mbi pragun. Një i tretë me të njëjtin numër do t'i mbyllte dyert Fed-it.

Por kujdes me optimizmin. Bank of America ka paralajmëruar se, nëse parashikimi i tyre del i saktë, një rritje tjetër prej 25 pikësh bazë në dhjetor bëhet praktikisht e mbyllur. Me fjalë të tjera, edhe një 0.2% mund të mos jetë i mjaftueshëm vetë për ta ndalur Fed-in. Ai do të ishte fillimi i kthimit, jo fundi i tij.
Pse nafta është çelësi i gjithë kësaj
Fajin më të madh për inflacionin e lartë në Amerikë këtë vit ia kanë lënë çmimeve të naftës dhe derivateve të saj, të ngritura nga lufta me Iranin.
Tani ai presion po bie. Brent-i arriti kulmin rreth 118 dollarë më 30 tetor, ndërsa sot tregtohet rreth 92 dollarë. Pra një rënie prej rreth 22% brenda pak javësh. WTI është rreth 86 dollarë.
Arsyeja e rënies janë shpresat për një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ende nuk është nënshkruar asgjë, dhe analistët paralajmërojnë se pa shenja më të qëndrueshme deeskalimi Brent-i vështirë se zbret dukshëm nën 90 dollarë. Por drejtimi tashmë ka ndryshuar.
Kjo ka një pasojë të drejtpërdrejtë: karburanti më i lirë ul koston e transportit dhe të prodhimit për gati çdo gjë tjetër. Prandaj, nëse marrëveshja arrihet dhe çmimet vazhdojnë të bien, efekti do të duket në të dhënat e inflacionit të muajve në vijim, jo vetëm te numri kryesor.
Dy skenarët e sotëm
Core CPI 0.2% ose më poshtë. Ky do të ishte sinjali i parë i qartë se inflacioni ka filluar të bjerë në Amerikë. Tregu merr frymë, presioni mbi Fed-in zbutet, dhe asetet me rrezik, aksionet dhe kriptot, zakonisht reagojnë pozitivisht.
Core CPI 0.3% ose më lart. I treti radhazi mbi prag. Në këtë rast rritja e normave më 9 dhjetor bëhet gati e sigurt, dollari forcohet dhe presioni mbi tregjet rritet.
Një këshillë praktike për ditët si sot
Ditët kur dalin të dhënat e inflacionit ose të punësimit janë ditët me volatilitetin më të madh në treg. Çmimet lëvizin fort në të dy drejtimet brenda minutave të para, shpesh e kthejnë drejtimin disa herë, dhe spread-at zgjerohen.
Prandaj, në ditë të tilla tregtimi nuk preferohet. Nuk është çështje drejtimi, por çështje se tregu në ato momente nuk sillet normalisht. Më mirë pritet të qetësohet dhe pastaj merret vendimi me kokë të ftohtë.
