Të enjten tregjet amerikane patën një ditë shumë të rëndë. S&P 500 ra 4.4%, dita e tij më e keqe që nga prilli i vitit 2025. Nasdaq ra 5.5% dhe hyri në territor korrigjimi, ndërsa Dow Jones humbi 1,833 pikë ose 3.4%. Vetëm shtatë kompanitë më të mëdha të teknologjisë, të ashtuquajturat Magnificent 7, humbën mbi 1 trilion dollarë vlerë tregu brenda një sesioni, ku Nvidia e vetme humbi mbi 440 miliardë dollarë pasi ra 9.3%. E llogaritur në tërë tregun amerikan, humbja e asaj dite shkon në disa trilionë dollarë.

Çka ndodhi në zgjedhje?

Të martën në Amerikë u mbajtën zgjedhjet midterms, ku demokratët shënuan fitore të fortë duke i fituar edhe Senatin edhe Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo normalisht që shkaktoi panik dhe pasiguri në tregje, pasi që dihet se shumë demokratë janë deklaruar për kufizimin në ndërtimin e data qendrave para se të krijohet një rregullim i tregut të AI. Mirëpo poashtu duhet të thuhet se jo të gjithë demokratët janë pro këtyre ideve.

Deklarata që e nxiti shitjen

Njëra ndër arsyet pse patëm këtë rënie ishte edhe deklarimi i kongresistes amerikane Yassamin Ansari, e cila tha se që në ditën e parë kur demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar, ata duhet ta pauzojnë zhvillimin e avancuar të AI, ta rregullojnë këtë treg që sipas saj është jashtë kontrollit dhe ta ndalojnë zhvillimin e superinteligjencës artificiale, e poashtu edhe ta kufizojnë ndërtimin e data qendrave në Amerikë.

Deklarata e kongresistes Yassamin Ansari, 4 nëntor 2026

Ajo nuk ishte e vetmja. Edhe senatori Bernie Sanders kërkoi publikisht një moratorium kombëtar për data qendrat. Këto janë ende vetëm kërkesa dhe propozime ligjore, jo politika të miratuara, por tregu nuk pret miratimin: ai e çmon riskun që sot.

Presioni kishte filluar para zgjedhjeve

Mirëpo edhe në ditët para midterms u pa se tregu i stocks, sidomos kompanitë më të mëdha të cilat janë duke e udhëhequr zhvillimin e AI, patën rënie në çmimin e stoqeve të tyre. Arsyeja është se investitorët dhe kredidhënësit po dëshirojnë të shohin fillim të rikthimit të investimeve, jo vetëm planifikim të investimeve në zhvillimin e data qendrave, ku vetëm në periudhën e 2 deri 3 viteve të ardhshme parashihet të investohen rreth 3 trilionë dollarë në ndërtimin e tyre.

Pra, zgjedhjet nuk e krijuan këtë nervozizëm. Ato vetëm e shtuan mbi një treg që tashmë po pyeste se kur fillojnë të kthehen paratë e shpenzuara.

Çka na tregon historia pas midterms?

Nëse i kthehemi numrave dhe të dhënave historike, që nga viti 1950, në të 19 zgjedhjet midterms tregu ka pasur kthim pozitiv në 12 muajt pas përfundimit të tyre, pa marrë parasysh se kush e kishte nën kontroll Kongresin, demokratët apo republikanët.

Normalisht se tregu nuk ka shkuar nonstop në rritje dhe ka pasur edhe rënie si ajo e së enjtes. Rëniet brenda periudhës janë pjesë e rrugës, jo kundërshtim i saj.

Çka ka më shumë peshë se Kongresi

Mirëpo më të rëndësishme për tregjet janë gjendja e ekonomisë, politikat monetare dhe likuiditeti në treg, se sa kush është në udhëheqje të Kongresit apo Shtëpisë së Bardhë.

Prandaj, duke u bazuar në atë që ekonomia amerikane po tregon se është e fortë dhe në zhvillim, që likuiditeti është duke u kthyer në tregje pasi ka përfunduar periudha e QT në vitin 2025, dhe që më 2027 mund të shohim një FED që do ta lehtësojë sistemin bankar duke e ndalur rritjen e normave të interesit, prapë mund të presim se 12 mujori i ardhshëm do të jetë periudhë pozitive për tregjet financiare, ashtu siç ka ndodhur pas çdo midtermi.

#opinion#kripto#cryptolbanian
A ju pëlqeu?
Ndajeni artikullin me miqtë tuaj
Ndaje